Vetëvendosje ngjitet në Ligën e dytë të Korrupsionit

Radari12.12.2015 14:09

Lëvizja Vetëvendosje për një kohë të gjatë ishte e vetmuar në Ligën e tretë të Korrupsionit. Ligë kjo, ku korrupsioni shërbeu vetëm si mjet për të kritikuar të korruptuarit. E vetmuar dhe e papushtet, Vetëvendosje u bë simbol i duarve të pastra në një ambient të ndotur nga korrupsioni primitiv, që kishte kapluar të gjitha nivelet e institucioneve të Kosovës. 


E vetmuar dhe e papushtet, Vetëvendosje ishte simbol edhe i pastërtisë së financimit të partisë në një vend, ku partitë ishin shndërruar në korporata. Derisa, anëtarë të partive tjera blinin vila, lideri shpirtëror i Vetëvendosjes, Albin Kurti, shiste edhe banesën për të financuar partinë.


Por, paçllëku idealist i Vetëvendosjes filloi të turbullohet. Nuk ishin zhibla të vogla, por njolla të mëdha që zhyten imazhin e pastër të Vetëvendosjes, si një parti që nuk bashkëjeton me krimin e korrupsionin. 


Në ngërçin politik të vitit të shkuar, Vetëvendosje përjetoi një evolucion të thyerjeve të parimeve, pothuajse të pathyeshme. 


Ajo u bë bashkë me LDK-në e Isa Mustafës që kishte rreth 70 dosje të dërguara nga Vetëvendosje në Prokurori, me AAK-në e Haradinajt, që e kishin akuzuar si kapo të krimit dhe haraçit në Kosovë, me NISMEN e Fatmir Limajt, që e kishin personifikuar me korrupsionin në Kosovë.

 

Këtë bashkëpunim, mjeshtri i retorikës, Albin Kurti, e kishte relativizuar duke e bërë të natyrshëm dhe të domosdoshëm. Në një vend u bënë bashkë dy ideologji kundërthënëse dhe në shikim të parë përjashtuese. 


Ngërçi politik duket se e kishte verbuar edhe Kurtin, i cili tha se këto tri parti janë të korruptuara, por janë në Ligën e dytë të Korrupsionin, duke e lënë PDK-në të vetmuar në Ligën e parë.

 

Por, gjatë këtij bashkëpunimi Kurti nuk arriti që të tërheq këto parti në Ligën e të pakorruptuarve. Pushteti i Vetëvendosjes në Prishtinë dhe inkuadrimi i disa figurave të ricikluara politike e bën Vetëvendosjen të duket e njëjtë me partitë e tjera. 


Dy skandalet e fundit në komunën e Prishtinës ishin përcaktuese për ngjitjen e Vetëvendosjes në Ligën e dytë të Korrupsionit. Tenderin e fundit, me vlerë prej 172 mijë eurove, drejtori i Infrastrukturës nga radhët e Vetëvendosjes, Hysen Durmishi, ia ka dhënë një kompanie që vetë e kishte udhëhequr më parë. 


Ndërsa, në anën tjetër, nënkryetari i komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu, kundërligjshëm është duke menaxhuar me tenderë ndërkombëtarë.


Jashtë kësaj, gjithsesi që nuk mbetet as vetë kryetari Shpend Ahmeti, i cili vitin e kaluar, tenderin për dekorimin e Prishtinës ia kishte dhënë një kompanie të sapokrijuar, pronarja e të cilës ishte një ish-studente e tij në AUK dhe njëherësh shoqe shumë e mirë e asistentes së tij.


Biznesi i saj, N.SH 'Perla Events' ishte regjistruar si biznes individual vetëm dy javë para se të merrte tenderin, përkatësisht më 3 dhjetor 2014.


Ligës së dytë tashmë i është shtuar edhe Vetëvendosje dhe ndoshta kjo është edhe njëra nga arsyet pse opozita është më e bashkuar se kurrë më parë! 

Rubrika "Radari" është hapësirë e komentimit të sjelljes politike dhe deklaratave kundërthënëse e të paargumentuara të politikanëve dhe figurave publike.