UNESCO si “peshore” diplomatike

Radari10.11.2015 12:48

UNESCO ishte temë kryesore këto ditë. Një përpjekje kosovare rreth njëvjeçare kjo, e cila Kosovën e mbajti po kaq gjatë edhe lajm ndërkombëtar. Gjithsesi, anëtarësimi në të do të ishte me shumë beneficione për Kosovën si shtet dhe për popullin e saj, e natyrisht se të paktë do të ishin edhe ata që nuk do i gëzoheshin anëtarësimit. Por, të paktë nuk janë tash as ata që po i gëzohen dështimit, sidomos njerëzit e politikës dhe parapolitikës. Këta të fundit, më shumë i gëzohen dështimit vetëm në kontekstin politik, nga frika se do të perceptohej si sukses i madh dhe do e linte në hije përpjekjen opozitare apo përpjekjet e tyre mediale për të demonstruar fuqi politike me qasjen që kanë zgjedhur. Por, ç’është e vërteta, Kosova në këtë rast ishte “litar” diplomatik botëror dhe vetë përfshirja në këtë lojë, është sukses për Kosovën.

 

Të sigurohen 1/3 e votave ishte më lehtë për Serbinë dhe aleatët e saj, sesa 2/3 për Kosovën dhe sponsorizuesit e pavarësisë së saj dhe kjo mund të quhet dështim vetëm për shkak të mosarritjes së anëtarësimit për tri vota, por është sukses shumë i madh kur merret parasysh përkrahja e shumicës cilësore të botës për Kosovën. Kjo na jep të kuptojmë që Kosova si shtet është e mirëpritur nga shumica e shteteve në botë. Ndërkaq, Serbia dhe mbështetësit e saj të bashkuar kanë dëshmuar në këtë rast vetëm fuqi për të penguar, por jo edhe ndonjë gjë tjetër.

 

Serbia arriti ta pengojë sigurimin e 2/3 të votave për anëtarësim të Kosovës, por në raport me Kosovën mbetet prapa 42 vota dhe 29 shtete të tjera në krejt këtë “gatesë diplomatike” vendosën të rrinë anash, duke abstenuar. Madje, sukses i Kosovës është edhe votimi pro anëtarësimit i tre shteteve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e saj. Në këtë rast, diplomacia kosovare rezultoi të jetë shumë më superiore në arenën ndërkombëtare, se ajo e Serbisë dhe kjo do duhej t’i shërbente lidershipit serb edhe si alarm për të ndryshuar sjellje politike në rendin e ri botëror.

 

Gjithsesi që pala kosovare duhet ta “denoncojë” këtë sjellje të Serbisë shumë më seriozisht në Bruksel, sepse kjo është në kundërshtim të plotë edhe me zotimin e saj që të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. E kjo natyrisht që e lëndon shumë edhe dialogun e Kosovës dhe Serbisë në Bruksel dhe zyrtarët e BE-së duhet ta edukojnë Serbinë, nëse duan që ky dialog të sjellë rezultate konkrete për palët e përfshira dhe rajonin në përgjithësi.

Rubrika "Radari" është hapësirë e komentimit të sjelljes politike dhe deklaratave kundërthënëse e të paargumentuara të politikanëve dhe figurave publike.