Standardet e dyfishta analitike për UNESCO-n

Radari11.11.2015 23:02

Kosova nuk arriti për tri vota të bëhet shteti më i ri anëtar i UNESCO-s, por përkundër kësaj asnjë shtet që na ka njohur nuk votoi kundër anëtarësimit tonë në UNESCO. Ishin vetëm 8 prej shteteve që e kanë njohur Kosovën, të cilat për shkak të ndikimit të Rusisë, Indisë, Kinës dhe Brazilit, abstenuan.


Shumë njerëz të politikës, në deklaratat e tyre publike, abstenimin e shteteve që e njohin Kosovën po e shohin si dështim të diplomacisë kosovare, ndërkaq në anën tjetër, 30 prej shteteve me të cilat Serbia ka vendosur marrëdhënie diplomatike dhe ka shkëmbyer ambasadorë votuan pro anëtarësimit të Kosovës dhe kjo po vlerësohet si sukses i Serbisë, vetëm pse me përkrahjen e shteteve të BRICS-it arriti ta pengojë anëtarësimin. Të njëjtën gjë, të cilën Kosovës po ia atribuojnë si dështim, Serbisë po ia atribuojnë si sukses, vetëm pse Kosova për tri vota nuk arriti të anëtarësohej. Sigurimi i shumicës cilësore, i 92 votave pro anëtarësimit të Kosovës, po del të jetë totalisht i parëndësishëm për ta. 


Çdokush me një logjikë të shëndosh, do të pyeste: Si mund të jetë dështim për Kosovën, pse kanë abstenuar 8 shtete që e njohin, derisa asnjë shtet që na njeh nuk ka votuar kundër, kurse sukses për Serbinë kur 30 shtete me të cilat ka marrëdhënie diplomatike votuan pro anëtarësimit dhe 13 shtete të tjera, gjithashtu me të cilat ka marrëdhënie diplomatike dhe shkëmbim ambasadorësh, abstenuan?!


Standardet e dyfishta janë pjesë e pandashme e të bërit analizë dhe politikë në Kosovë. Varësisht prej qëllimit gjithnjë përshtatet edhe argumenti politik.


Kosova ka shkëmbyer ambasadorë vetëm me 24 shtete dhe të gjitha këto shtete, duke përjashtuar vetëm Japoninë, e cila ka abstenuar, kanë votuar pro anëtarësimit të Kosovës në UNESCO. Ndërkaq, Serbia, ka të shkëmbyer gjithsej 69 ambasadorë dhe nga vendet ku ajo ka ambasada, pro anëtarësimit të Kosovës në UNESCO votuan 30 shtete dhe 13 të tjera abstenuan. Ky po del të jetë suksesi i diplomacisë serbe dhe dështimi i asaj kosovare!

Rubrika "Radari" është hapësirë e komentimit të sjelljes politike dhe deklaratave kundërthënëse e të paargumentuara të politikanëve dhe figurave publike.