Rikthimi i Haradinajt

Radari05.12.2015 17:28

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, për herë të parë po vepron mençur dhe me strategji. Ai po mundohet që ta shfrytëzojë mungesën e liderit shpirtëror të Vetëvendosjes, Albin Kurti, për të marrë primatin e lidershipit ndër-opozitar. Iniciativa e tij për të protestuar tash edhe nëpër komuna, më shumë se gjithçka tjetër është një përpjekje e tij për të dalë sadopak nga “vorbulla” ku i ka futur Lëvizja Vetëvendosje, e cila dominonte me agjendën organizative dhe me sjelljen e saj në të bërit opozitë. Është thjesht një përpjekje për të treguar se AAK-ja ka identitet të vetin dhe nuk po ia mban vetëm “zhagun” Vetëvendosjes, siç edhe vlerësohej deri tash.

 

Nga nevoja për t’u bashkuar dhe për të demonstruar fuqi politike, Haradinaj bashkë më vartësit e tij kishin hyrë “kokë e këmbë” në vallen e Vetëvendosjes, e cila atij ia zbehu shumë edhe figurën publike si lider, por edhe rolin që kishte treguar deri më tash, me subjektin e tij politik, si opozitë e institucionalizuar.

 

Krejt ajo që e dalloi Haradinajn prej Vetëvendosjes gjatë këtyre muajve, madje jo prej të gjithëve aty, ishte sjellja e tij prej kauboji, e cila atë assesi nuk e projektonte si lider në sy të të tjerëve, por e degradonte në nivelin e policit partiak të Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj, i cili tash gjendet në arrati.

 

E ndonëse Haradinaj është edhe një ish-kryeministër dhe subjekti i tij politik, me gjithë të thënat dhe të bërat ishte futur në binarët e institucionalizimit, duke sharë e pirë raki në Kuvend dhe duke u sjellë me karagjozllëk ka shpërfaqur edhe një anë të errët të personalitetit të tij, e cila gjithsesi që do i rekomandohej që ta mbante fshehur prej të tjerëve.

 

Mbase është i dërrmuar nga të qenit në opozitë dhe i pashpresë se mund të vie në pushtet dhe si rrjedhojë e kësaj, Haradinaj edhe e kishte lëshuar veten gjatë këtyre muajve, duke mos u mërzitur fare as se çfarë përshtypjesh po lë tek të tjerët me sjelljen e tij, sidoqoftë lëvizjet e fundit të tij janë dëshmi se ai është duke e rimarr veten dhe po rikthehet! 

Rubrika "Radari" është hapësirë e komentimit të sjelljes politike dhe deklaratave kundërthënëse e të paargumentuara të politikanëve dhe figurave publike.

Republika Plus