Pa Batonin nuk ka zgjidhje të krizës politike

Radari07.12.2015 11:16

Përpjekja e kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, për të pleqnuar mosmarrëveshjet ndërmjet partive në pushtet dhe në opozitë duket se nuk ka pasur sukses. 


Meta takoi shumicën e liderëve politikë në opozitë, kryetarin e Kuvendit dhe presidenten Jahjaga. Por, me të nuk u takua kryeministri Mustafa dhe kryetari i PDK-së Thaçi. 


Megjithatë, në krejt pamjen e këtyre vizitave, mungoi diçka. Diçka që jemi mësuar gjithmonë të shohim, sa herë që kemi vizita nga Shqipëria. Është fytyra e Baton Haxhiut.


Batoni në dy dekadat e fundit ka shërbyer si urë lidhëse ndërmjet politikanëve shqiptaro-shqiptarë, andej dhe këndej kufirit. 


Por, këtë rol ai e ka marrë vetëm në raste shumë të veçanta, kur janë arritur rezultate konkrete. Mungesa e Batonit nëpër këto takime për shumëkënd ishte shenjë që ndërmjetësimi i Metës do të dështonte. 


Për këtë ishte i bindur edhe Meta. Kështu në vend të Batonit në disa takime ai e mori Berat Buzhalën, i cili është kritikuesi më i madh i Batonit, por në të njëjtën kohë edhe adhuruesi më i madh i fshehur i tij.


Megjithatë, as kjo nuk i solli ndonjë fat. Takimet ishin të frytshme, por pa rezultate konkrete. Kriza politike mund të zgjidhet vetëm atëherë, kur Batoni në çfarëdo forme bëhet pjesë e zgjidhjes së saj. 


Ju kujtohen lajmet sesi Batoni në periudha shumë kritike është parë duke hyrë në ndërtesën e Qeverisë për të qenë pjesë e zgjidhjes së krizave të ngjashme. 


Ai ishte pjesë edhe e zgjedhjes së Bajram Rexhepit kryeministër, pjesë e zgjedhjes së Bajram Kosumit dhe Agim Çekut kryeministër.


Batoni u bë sebep edhe për zgjedhjen e Jahjages presidente të Kosovës. Ishte edhe pjesë e marrëveshjes ndërmjet PDK-së dhe LDK-së të vitit të shkuar. Parashikimi i Batonit se Hashim Thaçi do bëhet zëvendëskryeministër fillimisht tronditi opinionin publik, por në fund doli i saktë.


Edhe kriza politike në Kosovë mund të zgjidhet vetëm atëherë, kur Batoni përfshihet në të!

Rubrika "Radari" është hapësirë e komentimit të sjelljes politike dhe deklaratave kundërthënëse e të paargumentuara të politikanëve dhe figurave publike.