Në Kosovë ishin dy Kerry: Një i pozitës, një i opozitës!

Radari03.12.2015 15:26

Shpresat e kosovarëve në vizitën e sekretarit amerikan, John Kerry, ishin të mëdha. Ato bashkë me Kerryn ateruan në Aeroportin e Prishtinës.

 

Ai nuk pati nevojë të vijë në qendër të Prishtinës, ngaqë deklaratat e tij u dëgjuan nga distanca. Por, sot një ditë pas vizitës së tij, Kosova duket e njëjtë. 

 

Ndryshimi i vetëm është që krizës politike i është shtuar edhe një dilemë tjetër: Çfarë tha Kerry?!

 

Pozita dhe opozita as për deklaratat shumë precize të Kerryt nuk po gjejnë konsensus të përbashkët, veçanërisht rreth përmbajtjes së tyre. Kështu, dje në Kosovë ishin dy Kerry: Një i pozitës, një i opozitës!

 

Kerry i pozitës kritikojë shumë ashpër opozitën. Doli në mbështetje të plotë të marrëveshjeve për Asociacionin e komunave serbe dhe për demarkacionin me Malin e Zi. Duke i përcjellë selamet e presidentit Obama, Kerry i pozitës i thuri lavde lidershipit kosovarë, derisa kritikojë ashpër dhunën e opozitës në Kuvend. Tha që në Parlament nuk ka vend për gaz lotsjellës. Por, as Kerry i opozitës nuk qëndroi duarkryq. Ai ishte shumë i ashpër me Qeverinë. Tha se duhet ta luftojë më shumë korrupsionin dhe krimin e organizuar. Madje, Kerry i opozitës tha që në Kosovë nuk bën askush të mbetet i pandëshkuar...

 

Edhe një ditë pas vizitës, kundërthëniet për deklaratat e Kerryt po mbahen gjallë nga pozita dhe opozita. Madje, ato janë shndërruar në armë speciale për të kundërshtuar njëra-tjetrën dhe për të thelluar krizën. Por, në të njëjtën kohë dhe vend, erdhi edhe Kerry i vërtetë, mesazhet e të cilit duket se qytetarët e Kosovës i kanë kuptuar më së miri. Fillimisht duhet të ndalet dhuna, për t’i dhënë shanse dialogut. Më pas duhet treguar rezultate në zhvillimin ekonomik, në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Por, këto vështirë se mund të bëhen me një polarizim ekstrem, ku po ndeshet kryeneçësia e Qeverisë përballë veprimeve kamikaze të opozitës!

Rubrika "Radari" është hapësirë e komentimit të sjelljes politike dhe deklaratave kundërthënëse e të paargumentuara të politikanëve dhe figurave publike.