Lutas N’Roses

Radari26.10.2015 22:35

I rritur në një familje aristokrate, si i vogël Lutfi Haziri kishte luajtur piano. Më vonë Luta dëgjonte Rock, në kohën kur Haki Misni, Zana Nimani apo Migjen Kelmendi dëgjonin këngë të Dervish Shaqes.


Ndonëse, njohës i mirë i rock-ut, Luta shumë vonë zbuloi grupin e njohur në botë, Guns N'Roses. Si çdo rocker, edhe Luta ishte i uritur për muzikë dhe birra, por nga 'overdoza' e ngjarjeve politike, Lutës iu shfaq një dëshirë tjetër – pushteti. Kjo ishte pika e evolucionit të Lutës nga rockeri në politikan. Por, të kaluarën e një rockeri me flokë të gjata dhe të dredhura në bisht të 'xhezves' nuk e harroi asnjëherë.


Duke u frymëzuar nga ritmet e shpejta të kitaristit Slash, Luta mbi kokë vendosi një shami, me mbishkrimin LDK. Këtë parti ai e pagëzoi me Roses, ndërsa kundërshtarëve politik ua la në dorë Gun-in, si sinonim i së keqes. Imazhi i Lutës kishte ngritje dhe rënie gjatë karrierës së tij politike. U shqua po ashtu për dipLLomaci, ku në momente të caktuar herë u kapke për Roses e herë prej Gun-it.


Kur ishte me Roses, Luta merrte shpesh herë edhe Gun-in në duar, për të sulmuar kundërshtarët. E kur ishte në anën e Gun-it ai shpërndante Roses. Kërcimi i Lutës nga e djathta në të majtën i siguroi atij shumë herë poste të rëndësishme shtetërore. Luta edhe njëherë arriti, pak me Gun e pak me Roses, që të rikthehet në pushtet, tash si kryetar i komunës së Gjilanit. Por, Luta dëshiron më shumë. Ai dëshiron të jetësojë ëndrrën e pajetuar, dëshiron të bëhet kryetar i LDK-së.

Rubrika "Radari" është hapësirë e komentimit të sjelljes politike dhe deklaratave kundërthënëse e të paargumentuara të politikanëve dhe figurave publike.