Liberalizimi i vizave për kosovarët

Radari19.12.2015 16:59

“Liberalët i kuptojnë të gjithë, përveç ata që nuk i kuptojnë liberalët!”, është një maksimë për partitë liberale politike. Por, në rastin tonë, po mundohemi t’i kuptojmë arsyet politike që fshihen pas tetë kritereve teknike, që Komisioni Evropian konstatoi se Kosova i ka përmbushur pjesërisht.


Që nga nisja e dialogut të liberalizimit të vizave, Bashkimi Evropian e kishte trajtuar Kosovën ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe diskriminimi ndodhi në dy nivele, në nivelin teknik dhe në atë politik.


Së pari, procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën ishte shtyrë kur ishin vendosur disa parakushte vetëm për të filluar dialogun, një procedurë që nuk ishte përdorur më herët.


Ndërsa, së dyti, për shtetet fqinje Komisioni Evropian kishte mesatarisht 45 kritere për udhërrëfyesit e tyre, ndërsa në rastin e Kosovës në emër të evoluimit të Bashkimit Evropian ishin dyfishuar.


Gjithashtu, Kosova ishte diskriminuar nga Komisioni Evropian jo vetëm në pranimin e udhërrëfyesit për Kosovën, por edhe në dërgimin e misioneve të ekspertëve për të vlerësuar përmbushjen e kritereve.


Dy arsye politike mund të fshihen pas kësaj zvarritjeje në 2015.


Imigrimi i parregullt i qytetarëve të Kosovës dhe numri i madh i luftëtarëve kosovarë përkrah ISIS-it apo ekstremizmi i madh fetar, sepse këto janë dy problemet kryesore me të cilat po përballet tash Evropa.


Por, edhe pse në nivelin politik është i kuptueshëm shqetësimi i shteteve anëtare në lidhje me numrin e azilkërkuesve dhe emigrantëve ilegalë nga Kosova, ky fenomen ishte futur shpejtë nën kontroll dhe ishin bërë tërë hapat e nevojshëm për kthimin e këtyre azilkërkuesve. E, përderisa numri i azilkërkuesve ka rënë dukshëm gjatë këtij viti për Kosovën, ai është rritur në mënyrë dramatike në shtetet tona fqinje. Për më tepër, Kosova kishte shprehur gatishmërinë e saj për të mbështetur BE-në rreth krizës së refugjatëve dhe kishte ofruar edhe akomodim për refugjatët, një vendim që ishte përshëndetur nga BE-ja.


Megjithatë, le ta shohim liberalizimin e vizave edhe nga pikëpamja e sigurisë së vetë BE-së. Shumë ministra të jashtëm dhe të brendshëm të shteteve evropiane dhe botërore, së bashku me shumicën e anëtarëve të Parlamentit Evropian kanë mbështetur liberalizimin e vizave për Kosovën. E kanë mbështetur, sepse Kosova ka ofruar mbështetje në luftën ndërkombëtare kundër ekstremizmit të dhunshëm në nivel lokal, por edhe në kontekstin e koalicionit global kundër ISIS-it. Kosova ka miratuar ligj kundër pjesëmarrjes në konflikte të huaja dhe ka bërë përpjekje të dukshme për të nxitur dialogun ndërfetar, si mjet për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm. Kurse, zgjatja e procesit të liberalizimit të vizave vetëm sa do të izolonte edhe më tej njerëzit dhe do të nxiste edhe më shumë ekstremizmin nacionalist dhe atë fetar në Kosovë.

 

Bashkimi Evropian është i vetëdijshëm se trajtimi diskriminues ndaj Kosovës nuk është problem vetëm për qytetarët e Kosovës, por gjithashtu dëmton edhe vetë interesat e BE-së në Kosovë. Një izolim i mëtejshëm do të dobësonte edhe përpjekjet e BE-së për të promovuar reformat në Kosovë dhe, gjithashtu, do të dëmtonte edhe pozitën e reformuesve kosovarë pro-evropian.


E, gjithashtu, Bashkimi Evropian duhet të jetë i vetëdijshëm se më një sjellje të tillë e pamundëson edhe vazhdimin e dialogut me Serbinë dhe implementimin e marrëveshjeve ekzistuese, sepse bën që perspektiva evropiane të vihet në dyshim dhe kjo ndikon drejtpërdrejtë edhe në gatishmërinë e lidershipit kosovarë për të qenë konstruktiv në dialog! 

Rubrika "Radari" është hapësirë e komentimit të sjelljes politike dhe deklaratave kundërthënëse e të paargumentuara të politikanëve dhe figurave publike.