Kosova në UNESCO

Radari08.11.2015 14:45

Anëtarësimi i Kosovës në UNESCO është bërë “mollë sherri” ndërmjet fuqive të mëdha. Parisi, këto ditë ishte fushëbetejë e luftës diplomatike të delegacionit kosovar dhe mbështetësve të tij SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë, në njërën anë dhe në anën tjetër, delegacionit serb dhe mbështetësit kryesor të tij, Rusisë, e cila ka mobilizuar edhe shumë shtete të tjera kundër anëtarësimit të Kosovës.


Nesër do të votohet, por ende rezultati mbetet i paparashikueshëm!


Në rast të anëtarësimit, Kosova për herë të parë do të mund të demonstrojë fuqi ndërkombëtare, ngaqë vota në UNESCO është votë e barabartë me të gjitha shtetet që janë pjesë e saj.

 

Anëtarësimi gjithsesi që do i hapte rrugë edhe njohjeve tashmë të ngadalësuara të shtetit të Kosovës. Por, është edhe një hap i madh drejt anëtarësimit në OKB, sepse ka një traditë të gjatë të vendeve që nuk janë në OKB dhe që janë bërë anëtare të saj.

 

Deri më tash Kosova është anëtarësuar në vetëm dy prej organizatave të OKB-së, në FMN dhe në Bankën Botërore, në të cilat vendet nuk e kanë votën e barabartë, sepse vota llogaritet në bazë të kontributeve dhe kjo nënkupton se vendet që e kanë mbështetur gjithnjë Kosovën kishin peshën kryesore në votim dhe për këtë edhe jemi anëtarësuar. Ndërsa, në rastin e UNESCO-s dhe pjesës më të madhe të agjencive të tjera, shtetet e kanë votën e barabartë, pavarësisht nga përmasat, kështu që votimi pro anëtarësimit të Kosovës mund të konsiderohet edhe një lloj konfirmimi i legjitimitetit të Kosovës, si shtet i mirëpritur nga shumica e shteteve të botës!

Rubrika "Radari" është hapësirë e komentimit të sjelljes politike dhe deklaratave kundërthënëse e të paargumentuara të politikanëve dhe figurave publike.