Isa Mustafa me trup në Qeveri, me mendje në opozitë

Radari21.12.2015 17:34

Isa Mustafa edhe pas një viti mandat si kryeministër i Kosovës, ende nuk ka arritur të bëjë tranzicionin nga lideri i opozitës në lider të qeverisë. Ndërrimi i rolit bëri që Mustafa shumicën e energjisë ta investojë në sulmet kundër opozitës. 

 

Rrallëherë u morë me promovimin e projekteve të ndryshme të qeverisë së tij, sepse marrëveshjet për Asociacionin dhe Demarkacionin shënuan kulmin e dështimit të vazhdueshëm të Mustafës për të bindur opinionin publik për këto marrëveshje. Diskursi kamikaz i opozitës kundër këtyre marrëveshjeve, të cilat mbështeten edhe nga BE-ja dhe SHBA-të, u përhap dhe u bë legjitim. 

 

Në opinionin publik është krijuar perceptimi që “Zajednica” është më e rrezikshme se regjimi i Millosheviqit, derisa demarkacioni po e ndanë më shumë Kosovën se konferenca e Berlinit. Një numër jo i vogël i qytetarëve, siç besojnë në Zot, ashtu besojnë edhe se marrëveshjet janë të dëmshme për Kosovën. E këtij diskursi në favor të opozitës i ka dhënë jetë edhe dembelizmi i Mustafës për t’u dalë në mbrojtje këtyre marrëveshjeve. Ai me tone të ftohta ka ripërsëritur gjithnjë një frazë të thatë, që marrëveshjet janë konform Kushtetutës!

 

Megjithatë, me këtë qasje, Mustafa po rrezikon seriozisht edhe partnerët ndërkombëtar që kishin vendosur dorën mbi zjarr për të garantuar implementimin e marrëveshjeve. Fillimisht, ambasadorët e të gjitha shteteve mbështetëse të Kosovës dolën në mbrojtje të marrëveshjeve. Por, as këtë momentum nuk e shfrytëzojë Mustafa. U paraqit nevoja që të vinte edhe vetë sekretari amerikan, John  Kerry, për të shprehur mbështetjen për marrëveshjet. Mirëpo, euforia zgjati vetëm një ditë, meqë kryeministri mendoi që fjalët e mëdha të sekretarit amerikan vetvetiu do t’u shërbenin si thirrje në ndërgjegjen e përfaqësuesve të opozitës. Por, kjo nuk ndodhi. 

 

As reagimi i sotshëm i Departamentit Amerikan të Shtetit nuk është se do të ndryshojë opinionin publik për marrëveshjet. Kot mundohen SHBA-të të bindin popullin e Kosovës, me një kryeministër, i cili është totalisht në defanzive. Duke qenë gjatë në opozitë, Mustafa edhe me shtetin është duke qeverisur nga këndvështrimi opozitar. Ai po dëshmon se di vetëm të sulmojë, por jo edhe të mbrojë!


E kësaj amullie gjithsesi që i kontribuon edhe partneri qeverisës i Mustafës, Thaçi, bashkë me njerëzit e PDK-së, që po mundohen të qëndrojnë anash dhe po reagojnë vetëm në rastet kur zyrtarisht Qeveria po heshtë, duke ua lënë kështu terrenin hapur opozitës për të thënë çfarë të duan.


Mbase edhe për shkak që Thaçi nuk njihet si partner i mirë, ai tash po mundohet që të mos i përzihet Mustafës, meqë ai është kryeministri, por në këtë mënyrë partitë e koalicionit qeveritar e kanë humbur moti betejën mediale, ndonëse krejt argumentet i kanë në anën e tyre.


Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë mospërputhje thelbësore edhe lidhur me kundërshtimet e tyre. AAK-ja kritikon punën e komisionit shtetëror, kurse Vetëvendosje asnjëherë nuk e ka kritikuar punën e komisionit, mirëpo gjithnjë është marrë me marrëveshjen e Kumanovës dhe ka akuzuar KFOR-in, që sipas tyre ka ndikuar në tkurrjen e tokave të rugovasve. Madje, edhe sot e kësaj dite, njerëzit e AAK-së edhe pse janë parë duke u shëtitur me disa harta nëpër duar, ata asnjëherë nuk kanë treguar saktësisht dhe publikisht se ku i mbështesin kundërshtimet e tyre. Një shtjellim i mirëfilltë i kundërshtimit të kësaj vije kufitare, e cila mbështetet në rreth 40 harta dhe në dokumentet zyrtare, mbi bazën e të cilave e kemi edhe shtetin, gjithsesi që do i kontribuonte debatit publik dhe zgjidhjes së problemit, duke i informuar qytetarët dhe jo duke i dezinformuar! 

Rubrika "Radari" është hapësirë e komentimit të sjelljes politike dhe deklaratave kundërthënëse e të paargumentuara të politikanëve dhe figurave publike.