Edhe 28 nëntori festohet me tym të diskotekave

Radari20.11.2015 12:17

Shefja e Grupit Parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, e njohur si hedhëse e mirë e valleve, në Kuvendin e Kosovës nuk ka hedhur gaz lotsjellës, por sipas avokatit të saj, ajo ka hedhur tym të diskotekave. Ajo është keqkuptuar prej të gjithëve, sepse ka dashur vetëm të ndezë atmosferën në Kuvendin e Kosovës dhe t’i bëjë deputetët që të kërcejnë e të dalldisen pak. Ngufatja e frymëmarrjes, kollitja dhe rrjedhja e lotëve të deputetëve atë ditë, ka ndodhur për shkak të një sëmundje që kishte kapluar vetëm sallën e Kuvendit. Ren i keq ish kanë!


Për t’u dalldisur pak dhe nxehur atmosferën, AAK-ja atë ditë kishte siguruar edhe “çaj rrushi”. S’ka dert, pse të mos shndërrohet edhe Kuvendi në diskotekë ndonjëherë?! Madje, edhe filikaqat në të kaluarën i kanë përdorur si zëvendësuese të fishkëllimave me “gishta në gojë” për të ngritur nivelin e atmosferës, se metoda me “gishta në gojë”, tashmë po keqkuptohet!


Madje, edhe për 28 nëntor, tre partitë e opozitës po planifikojnë ta organizojnë një koncert të madh në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, jo për ta dalldisur Skënderbeun, por për t’i disponuar qytetarët me festën e tyre publike. E, padyshim, kolegeve të deputetes Kadaj-Bujupi gjithsesi që iu ka mbetur edhe ndonjë bombolë e tymit të diskotekave dhe as ato nuk do të mungojnë! 

Rubrika "Radari" është hapësirë e komentimit të sjelljes politike dhe deklaratave kundërthënëse e të paargumentuara të politikanëve dhe figurave publike.

Republika Plus