Si të shmangim një tjetër krizë, mbi Panama Papers

OpEd11.04.2016 19:47
Tomas Piketi

Nëse gjërat nuk ndryshojnë, do të përfundojmë të gjithë të reshtohemi për taksimin 12% të Irlandës, apo edhe taksimin 0% dhe ndoshta për të vuajtur subvencione për investimet, gjë që në fakt është duke ndodhur në disa raste. Ndërkohë në Shtetet e Bashkuara, ku ekziston një taksë federale mbi fitimet, taksimi ka mbërritur në 35% (pa llogaritur taksat e shteteve të veçantë, mes 5 dhe 10%). Nëse jemi kujdestarë të interesave private, kjo ka ndodhur për shkak të fragmentimit politik të Europës dhe mungesës së pushtetit publik të fortë. Lajmi i mirë është që dalja nga kjo rrugë pa ktye është e mundur. Nëse katër shtete – Franca, Gjermania, Italia dhe Spanja – që së bashku përbëjnë 75% të GDP-së dhe popullsisë së Eurozonës, do të propozonin një Marrëveshje të re të bazuar mbi demokracinë dhe drejtësinë fiskale, me një masë të fortë, si për shembull një taksë të përbashkët mbi kompanitë e mëdha, vendet e tjerë do të detyroheshin t’i ndiqnin pas – nëse nuk duan të mbeten jashtë përpjekjes për transparencë, që opinioni publik e kërkon prej vitesh, e si pasojë, t’i nënshtroheshin sanksioneve.


Edhe përsa i përket pasurive private të depozituara në parajsat fiskale, situata është po kaq e paqartë. Që nga viti 2008, pasuritë e mëdha kanë vazhduar të rriten kudo në botë, me ritme shumë më të shpejtë se sa ekonomitë, edhe sepse paguajnë më pak taksa se të tjerët. Në Francë, në vitin 2013, një ministër i thesarit mundi të deklarojë i qetë se nuk zotëron llogari në Zvicër, pa u druajtur se administrata e tij do e merrte vesh; edhe në këtë rast, u deshën gazetarët për të zbuluar të vërtetën.


Në të ardhmen, problemi do të duhet të zgjidhet falë transmetimit automatik të informacioneve mbi aktivitetet financiare, pranuar zyrtarisht nga Zvicra (por deri tani refuzuar nga Panamaja). Fatkeqësisht, do të fillojë të zbatohet jo me forcë që nga viti 2018, me përjashtime makroskopike, si për shembull mbi titujt e përftuar përmes ndërmjetësimit të trust-eve dhe fondeve; dhe nuk parashikohet asnjë lloj penaliteti për vendet shkelës. Me fjalë të tjera, vazhdohet të jetohet në iluzionin se problemi mund të zgjidhet mbi baza vullnetare, duke u kërkuar me dukatë parajsave fiskale që të heqin dorë nga sjelljet e tyre të papërshtatshme.


Eshtë urgjent përshpejtimi i procesit, vendosja e rregullave të rrepta dhe sanksioneve të rënda tregtare dhe financiare për vendet që nuk i respektojnë. Të mos ushqejmë iluzione: vetëm zbatimi i përsëritur i sanksioneve ndaj të gjithë shkeljeve, edhe më të vogla – që sigurisht nuk do të mungojnë, edhe nga ana e fqinjëve tanë të dashur zviceranë dhe luksemburgezë – mund t’i japë besueshmëri sistemit, dhe mundet të na nxjerrë nga klima e paqartësisë dhe pandëshkueshmërisë së përgjithshme, që mbretëron tashmë prej dekadash.


Tej kësaj, është i domosdoshëm një regjistër i unifikuar i titujve financiarë. Krijimi i tij – siç e ka treguar me efikasitet Gabriel Zucman – kalon nga kontrolli publik i depozituesve qendrorë (Eurostream dhe Clearstream në Europë, Depository Trust Corporation në SHBA). Për t’i dhënë besueshmëri sistemit mund të imagjinohen edhe të drejta të përbashkëta regjistrimi mbi këto veprimtari, fitimet e të cilave mund të shërbejnë për të financuar një program botëror në mbrojtje të një të mire publike (për shembull, klima).


Por mbetet një pyetje: si ka mundësi, nga viti 2008 e deri më sot, qeveritë kanë bërë kaq pak për t’iu kundërvënë paqartësisë financiare? Shkurt, përgjigja është që kishin iluzionin se mund të bënin pa vepruar. Bankat e tyre qendrore kanë shtypur kartëmonedha në sasi të mjaftueshme për të penguar rënien e plotë të sistemit financiar, duke shmangur kështu gabimet që, nga viti 1929, e çuan botën në buzë të greminës. Rezultati: praktikisht kemi shmangur një depresion të përgjithësuar, po pa vazhduar me reformat e domosdoshme strukturore, rregullatore dhe fiskale.


Mund të sigurohemi duke konstatuar se bilanci i bankave të mëdha qendrore (i kaluar nga 10 në 25% të GDP) mbetet i ulët nëse krahasohet me tërësinë e aktiviteteve financiare, që kryejnë aktorët publikë dhe privatë (rreth 1000% të GDP, pothuaj 2000% në Mbretërinë e Bashkuar) dhe mund të vazhdojë të rritet në rast nevoje. Por në të vërtetë, kjo demonstron mbi të gjitha hipertrofinë e vazhdueshme të bilanceve private, si dhe brishtësinë e skajshme të sistemit në tërësinë e tij. Mbetet vetëm të shpresojmë që bota do të shfaqet e aftë për të nxjerrë mësimin që del nga Panapa Papers, dhe t’i dedikohet më në fund përballimit të mungesës së transparencës financiare, pa pritur një krizë tjetër.


* Tomas Piketi është ekonomist francez, i specializuar në temat e pabarazisë sociale. Eshtë autor i librit “Kapitali në shekullin XXI”