Kryqi dhe lugati

OpEd30.03.2016 14:28
Ismail Syla

Përkundër të gjithë veprimeve, madje edhe shfajësimi i përdorimit të shisheve me molotov se atë e bëjnë fëmijët e rritur të grave të dhunuara në kohën e luftës, si duket erdhi momenti i vetvetishëm, i prishjes së bllokut opozitar. Krijimi i opozitës brenda opozitës. Kjo është mrekulli. Përballë kryqit “lugati” humbi betejën. Tashmë “lufta” le të plas brenda llojit.


Si ngushëllim moral dhe filozofik se nuk jetojmë në një Kosovë të përkryer dhe që tërë bota nuk është për së mbari e përsosur na ndihmon edhe libri i shënimeve “Udhëtim në Malin e Shenjtë” i prozatorit grek Nikos Kazanxaqis, autor edhe i romaneve “Zorba”,  “Tundimi i fundit” etj.


Shatërvani që qan në Parajsë


Në fakt Kazanxaqis në vizitën prej dyzet ditëve (si dyzet vjet të Moisiut në shkretëtirë) viziton dhjetë manastiret e Malit të Shenjtë dhe rishkruan Dhjetë Urdhrat e Moisiut, pra krijon Dekalogun e tij. Në çdo manastir gjen personazhe dhe për secilin ndërton një tregim ide për besimin në Zot, për mëkatin, për cubninë, për lakminë, për dhunën, për vesin e ngulitur, për luftën midis shpirtit dhe trupit midis së mirës dhe të keqes.


Në vizitën e manastirit të dhjetë, (të Dionisit, të kënaqësisë, ku përmes mëkatit përjetohet parajsa) del pakënaqësia e njeriut edhe në botën e Parajsës, ku në mes të saj është një shatërvan që qan, në të cilin rrjedhin lotët e mëkatarëve, andej nga Ferri... E po, kur edhe në parajsë ka pakënaqësi, si të mos ketë në Kosovë.


Por nuk ka më keq se kur në Kosovë, nga dëshpërimi dëgjohet ndonjëherë thënia e pasinqertë se “ma keq nuk ka qenë as nën Serbi”, “edhe policia serbe nuk janë sjellë kështu”. Apo kjo është pasojë e monotonisë parajsore, monotoni e lirisë. Në këtë monotoni, natyrisht se zëri i opozitës, pakënaqësia e saj është më se e natyrshme.  Por, ama, në kufijtë e demokracisë. Këtë na thotë edhe bota.


Dy momente në Kosovën e lirë ma kujtojnë motivin e besimit në fuqinë e kryqit përballë lugatit (vampirit). Shpallja e koordinuar e pavarësisë së Kosovës dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.


Kryqi dhe lugati



Po sikur Kosova të ishte kryeqyteti i Shtetit Islamik në Evropë? Fill pas 17 shkurtit 2008 grupet radikale serbe, jashtë Kosovës, ndërmorën disa veprime në shenjë mllefi për shpalljen e pavarësisë. Grupe njerëzish të mllefosur, nga periferia e Nishit etj. afroheshin te kufiri në Merdare. Ata gjuanin me gurë, eventualisht shanin, silleshin e pështilleshin me orë të caktuara, por një gjë nuk mund ta bënin. 


Nuk mund të hynin brenda territorit të shtetit të pavarur. Pavarësia ishte si kryqi që sapo nxirret dhe i vihet përballë lugatit, ai stopohet, ndalet dhe nuk mund të veprojë.


Pushtimi i një vendi të pavarur është veprim i komplikuar. Pikërisht ky fakt, që nga një moment je i pavarur, është një kryq i madh që të mbron përmes ligjeve ndërkombëtare. Mbetja e Shqipërisë Shqipëri është falë atij momenti kur ajo shpallet e pavarur, dhe mbijeton përmes perit të hollë dekada e dekada jo për shkak të fuqisë së brendshme (ushtri, ekonomi, etj) por prej faktit se është e njohur si e pavarur, dhe sado e dobët ka ligje dhe marrëdhënie ndërkombëtare midis fuqive, dhe ndonjë fuqie mike, e cila nuk i le të tjerët të të zhbëjnë.


Gjykata Kushtetuese Kosovës e prodhoi me një rast edhe efektin e kryqit dhe lugatit, apo ta zgjerojmë kuptimin, të kryqit dhe djallit, të së drejtës përballë të padrejtës, të parimores përballë joparimores, fundja të së mirës përballë të së keqes. Nuk mund të hyj në vlerësime profesionalizmi të Gjykatës, sepse nuk i shkojnë as natyrës së shkrimeve as profilit tim shkollor, por krahasimi dhe gjetja e analogjive, së paku më lejohet.


Kur partitë që nuk fituan zgjedhjet më 8 qershor 2014 formuan bllokun dhe u përpoqën që të themelojnë institucionet e shtetit, Kuvendin dhe pastaj qeverinë, ishte vendimi Gjykatës Kushtetuese ai që e ndryshoi gjendjen. Menjëherë Gjykata e pezulloi zgjedhjen e kryesisë së Kuvendit. Dhe kjo bëri që asnjëherë të mos mblidhet ky Kuvend dhe kryesia e tij. Madje salla e Kuvendit përdorej vetëm për të dhënë ndonjë konferencë shtypi. Kryqi po vepronte. 


Opozita e opozitës


Prishja e bllokut opozitar, bllokut të gazit lotsjellës, të mollotovit dhe të protestave në ditë festash është edhe një herë përballje midis kryqit dhe djallit.


Ky bllok nuk ngurroi që dy festat më të mëdha shqiptare, Ditën e Flamurit, 28 Nëntorin dhe Ditën e Pavarësisë së Kosovës, 17 Shkurtin, t’i përdor për qëllime politike.


Festa e Pashkëve, si e parathënë, si profeci biblike e nxori kryqin. Por, në fakt pos një paralelizmi figurativ, nuk ka këtu asgjë religjioze. Gjithçka është e kësaj bote dhe shqyrtim jo i prehrit të Zotit, por i realitetit objektiv. Prej 9 qershorit 2014nuk reshtën përpjekjet për ta instaluar kulturën e krijimit të institucioneve pa i fituar zgjedhjet. Përsëri Gjykata Kushtetuese me vendimet e saj , si kryq, e bllokoi këtë mendësi.


Këmbëngulja e opozitë së gazit etj. nuk u dorëzua as përballë porosive shteteve mike, të përfaqësuesve të shteteve të Kuintit, madje as nga miqtë e mëdhenj amerikan. Kongresmeni Eliot Engel opozitës përmes intervistës në “Zërin e Amerikës” kot ua jepte si shembull mesazhin e demokracisë amerikane, se pas vendimit ë Gjykatës Kushtetuese, kur Bushi ri u bë president, demokratët nuk e dogjën Amerikën, por të nesërmen në SHBA vazhdoi jeta normalisht.


Opozita me muaj me radhë,  pa nevojë, bëri që nga Kosova të dalin pamje jo të mira në sy të botës. Madje, bëri që në Kosovë të dal në skenë “fytyra” e policisë, krejt pa nevojë. Në ditën e zgjedhjes së presidentit, 26 shkurt 2016, si brenda parlamentit ashtu edhe përreth tij veproi “lugati”. Si zorra në prush u shpërpush. Por kot. Ka një moment që shfaqet kryqi. 


Shfaqet e drejta, parimorja, fuqia e votës, fuqia e vendimeve të forcave politike, që në mënyrë të rregullt dhe kushtetuese ka të drejtë që si shumicë demokratike të merr vendime. Presidenti u zgjodh. Fitoi e mira. Vendi nuk shkoi në zgjedhje. Logjika e kaosit dhe trimërimi i forcave që në zgjedhjet e ardhshme të demonstrojë arrogancë, se po vjen koha e tyre, se në furrë po piqet buka e tyre, u dogj.


Përkundër të gjithë veprimeve, madje edhe shfajësimi i përdorimit të shisheve me molotov se atë e bëjnë fëmijët e rritur të grave të dhunuara në kohën e luftës, si duket erdhi momenti i vetvetishëm, i prishjes së bllokut opozitar. Krijimi i opozitës brenda opozitës. Kjo është mrekulli. Përballë kryqit “lugati” humbi betejën. Tashmë “lufta” le të plas brenda llojit.


Në fund: Meqë në shkrim dy fjalët kyçe dominuese qenë “kryq” dhe “lugat”, le të më lejohet që thelbin e mesazhit ta themi me terma oriental: Hilja nuk ka bereqet.  

Republika Plus