Kë ta uroj për Presidentin?

OpEd09.04.2016 16:52
Burim Ramadani

Thaçin, PDK-në, LDK-në, partitë opozitare, ndonjërën prej tyre me metoda jokonvencionale apo deputetët-et që duket se përfituan direkt? Sido që të jetë, tashmë është momenti që skena politike të vendos nëse Kosova ka hyrë në një krizë më të thellë edhe për disa vjet apo të riorganizojë veten përmbajtjesisht në të gjitha kuptimet! Shpresoj se skena politike zgjedh riorganizimin!


Jam pak në dilemë. Kënd duhet uruar?


Më saktësisht, kush vërtetë është për t’u uruar pas zgjedhjes së Presidentit të ri të Kosovës!


1.      Ta uroj z. Thaçi?


Sepse:


arriti ta përmbush një synim publikisht të deklaruar. Sidomos që nga fundi i vitit 2014, kur partia tij bëri marrëveshje qeverisjeje me LDK-në, Thaçi e shkroi edhe në letër synimin për t’u bërë President. Asgjë kundërligjore apo jo?!


Sidoqoftë, zgjedhja e tij në muajin e gjashtë të krizës politike me elemente dhune duhet që më së shumti t’i jep mësim atij, pikë së pari, e pastaj të tjerëve.


Porse, Thaçi si President absolutisht duhet të jetë ndryshe nga ç’ka qenë si Kryetar partie. Sepse, mbi të gjitha, të qenit President nënkupton të përfaqësojë unitet. Dhe, uniteti minimalisht do të nënkuptonte që Presidenti nuk është kundërshtar politik i organizimeve politike në vend.


A do të mund të jetë i tillë, kjo mandej varet nga 1001 faktorë dhe aktorë, përfshirë edhe vet atë.


2.      Ta uroj PDK-në, LDK-në, njërën prej tyre apo të dyja bashkë?


Sepse:

 

megjithatë, arritën (edhe njëherë!) t’i tejkalojnë thashethemet e ngritura, sipas të gjitha gjasave vet, për gati dy dekada, madje sa herë që e kanë parë “të nevojshme”.


Kjo nuk është vetëm një moment interesi partiak i ndonjërës prej tyre. Por, normalisht se do të duhej të vendoste edhe një standard të ri në skenën politike: mos u besoni kur flasin me fjali tepër të rënda e të çuditshme!


Sepse, kot ngatërrohemi mes vete ne qytetarët e thjeshtë. Në fund të fundit, e tëra ishte një “lojë politike”.


Shikuar nga sytë e atyre, edhe mund të na del gjithçka në rregull. Pse? Thjesht, po themi diçka për të cilën ju të tjerët duhet të ngatërroheni e hasmëroheni, porse në fund, sërish, gjithçka është e ditur.


3.      Ta uroj opozitën e bashkuar apo ndonjërën nga partitë opozitare?


Sepse:


si pothuajse asnjëherë më parë kanë arritur të përbashkohen në forma të veprimit, jo vetëm në qëllimin e kundërshtimit të një qeverie. Megjithëse kjo ishte për një periudhë të caktuar dhe tashmë duket i takon kujtesës.


Ndarja e tyre është pothuajse e njëjtë sikur edhe atëherë kur ka pasur elemente përbashkuese për kundërshtimin e qeverisë, viteve të mëhershme, por që gjithnjë partitë opozitare janë ndarë tek format dhe mjetet e zbatimit të atij kundërshtimi.


Dallim këtu bën periudha e opozitarizmit të PDK-së dhe ORA-s, që kishin pothuajse edhe format dhe mjetet e njëjta opozitare. Qartësisht, institucionaliste atëherë në dukje!


Por, a mund të shihet zgjedhja e Thaçit edhe si një kontribut (kundër-efekt) nga mjetet dhe metodat që përdori opozita?


Të paktën, mjetet dhe metodat krejtësisht jokonvencionale të një pjese të opozitës?


4.      T’i uroj disa deputetë-e që duket se përfituan direkt?


Sepse:


“Nuk është në rregull që të përfundon mandati i deputetit/deputetes pa përfituar diçka. Dhe, atë diçka të madhe, jo hajgare”.


Kjo është logjika që po e ndjek politikën kosovare për vite të tëra. Përfito dhe vetëm përfito. Sa më shumë!


Terminal, për shembull? Po, patjetër.


Gradim i familjarëve? Po, patjetër.


Ndonjë gjë tjetër? Çkado që del, mirësevjen!


Prokuroria do të duhej të reagonte menjëherë. Pa asnjë minutë vonesë.


Ah, sikur të ishim në një shtet ku sundon ligji! Ah, pra...


Sido që të jetë, tashmë është momenti që skena politike të vendos nëse Kosova ka hyrë në një krizë më të thellë edhe për disa vjet apo të riorganizojë veten përmbajtjesisht në të gjitha kuptimet!


Shpresoj se skena politike zgjedh riorganizimin!