Fajin nuk e ka Donald Trumpi!

OpEd22.04.2016 21:59
GILMAN BAKALLI

Në shikimin e parë nuk të duket edhe aq simpatik. Në shikim të dytë, akoma më keq: Arrogant, i vetëkënaqur, egoman dhe llapaqen që nuk kursen askënd me fjalorin e tij vulgar. Donald Trump: një kombinim grotesk i cullufes së tij bionde me kostumet elegante italiane. Pohimet e tij mbi gratë, meksikanët, myslimanët, politikat sociale dhe të punësimit janë provokime të pastra. Të gjitha fjalimet e tij thyejnë totalisht korrektësinë politike të establishmentit politik amerikan dhe evropian.


Deri këtu, asgjë e jashtëzakonshme. Ajo që të habit akoma më fort është fronti kritik, me të cilin përballet retorika violente dhe populiste e Trumpit në Evropë dhe, ditët e fundit, edhe në Shqipëri. Kryeministri Edi Rama, të paktën në dy dalje publike, nuk i ka kursyer tonet e ashpra dhe përbuzëse ndaj kandidatit amerikan për president. “Një fatkeqësi për Amerikën”, e ka quajtur kryeministri ynë Donald Trumpin, “një injorant, që duhet të udhëtojë më shumë për t’u informuar”.


Mirëpo, zgjedhësit amerikanë duken se nuk e ndajnë qëndrimin e kryeministrit tonë ndaj Trumpit. Para pak ditësh, Trump arriti një fitore spektakolare (89 delegatë) në New York. Mesa duket, Trump po flet me zemrën e amerikanëve. Mesa duket, paraqitja e tij energjike prej djaloshi harrakat dhe retorika e tij e dhunshme dhe e drejtpërdrejtë ngjall simpati te zgjedhësit.


Para se të sulmohet Trumpi, duhet shtruar pyetja: Çfarë mësimesh mund të nxjerrë një sistem politik dhe përfaqësuesit e tij, kur një biznesmen si Trump arrin të jetë në majat e sondazheve dhe benjamini i programeve televizive, duke shkelur haptazi korrektësinë politike? Çfarë mësimesh mund të nxjerrë një shoqëri, kur një biznesmen, me gjasë, mund të arrijë majën e politikës thjesht duke artikuluar publikisht atë që brenda vetes e mendon (ndoshta) shumëkush?


Një mësim që mund të nxirret, para se të sulmohet Trump është se mesa duket politika – edhe në Amerikë, si këtu në Evropë dhe Shqipëri – është larguar retorikisht dhe konkretisht nga zgjedhësit. Tëhuajëzimi është kaq i madh, komunikimi është kaq i dobët, saqë pakkush ndihet i përfaqësuar nga establishmenti politik aktual. Shumica e zgjedhësve bile, përveçse nuk ndihen të përfaqësuar, mendojnë se flitet, shkruhet dhe punohet kundër bindjeve, vlerave dhe interesave të tyre.


Evropa e njeh mirë këtë koktej tëhuajëzimi kulturor e politik, me retorikë gojështhurur që ngjall ndjesi dorëzimi në elektorat. E quajnë populizëm. Sapo ai ngre krye, politikanët evropianë (nga pas u shkon edhe kryeministri ynë), bashkë me mediat reagojnë me populizëm antipopulist. Një mënyrë e shkëlqyer për t’i bërë vetes një shërbim të jashtëzakonshëm, duke inskenuar publikisht një superioritet moral.


Mirëpo, ta kritikosh me vulgaritet një retorikë vulgare nuk është fort e këshillueshme nëse do të kuptosh një fenomen si Donald Trumpi. Maksimumi mund t’i bëjë mirë rilindjes personale morale. E di që tingëllon si klishe e mërzitshme, por në politikë, si kudo, duhet të kesh mendje të esëllt dhe gjykim të shëndoshë. Kush jeton në shtëpi prej qelqi, nuk duhet të gjuajë me gurë!