Qeveria dhe serbët e Kosovës, flasin për asociacionin

Lajme02.06.2016 14:17

Asociacionin/Bashkësinë e Komunave me shumicë serbe, përfaqësuesit politikë serbë dhe shumë serbë të Kosovës e shohin si një mënyrë për t’i forcuar lidhjet mes tyre dhe Serbisë, u tha sot në prezantimin e një raporti. 


Përfaqësuesit politikë serbë dhe shumë serbë të Kosovës e shohin Asociacionin si një mënyrë për t’i forcuar lidhjet mes tyre dhe Serbisë pa shumë ndërhyrje nga Prishtina, u tha në prezantimin e raportit “Asociacioni/ Bashkësia e Komunave me shumicë serbe- Kalimi i udhëkryqit” nga Qendra Evropiane për Çështje të Minoriteteve në Kosovë dhe “PAX for Peace”.

 

Pieter Troch nga Qendra Evropiane për Çështje të Minoriteteve në Kosovë tha se bashkëpunimi ndërkomunal i komunave me shumice serbe mund të risjellë një shkallë të rendit dhe strukturës institucionale.

 

“Si e tillë mund të përmirësojë cilësinë e shërbimeve të ofruara në nivelin lokal, duke mbajtur lidhje financiare, teknike dhe simbolike me Republikën e Serbisë”, tha Troch.

 

Sipas tij, Marrëveshja e gushtit te vitit 2015 ka parashikuar që Asociacioni do të marrë mbështetje financiare nga Republika e Serbisë.

 

“Institucionet paralele serbe janë punëdhënësi më i madh i komunitetit serb dhe humbja e punës është një nga arsyet kryesore pse komuniteti serb i frikësohet integrimit në institucionet e Kosovës”, shtoi ai.

 

Ndërsa, zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Branimir Stojanoviq, tha se largimi i serbëve nga Kosova është fakt shqetësues i cili duhet të ndryshojë.

 

“Serbët janë duke e braktisur akoma shumë Kosovën sepse korniza politike dhe juridike të cilën e kanë serbët është e pamjaftueshme. Por, ne do të bëjmë çdo gjë që është nevoja për të ndryshuar kushtet e jetesës”, tha ai.

 

Ai tha që nuk kanë për qëllim që të themelojnë një institucion i cili i bën dëm kujtdo qoftë, mirëpo do të jetë institucion i cili do t’u dalë në ndihmë serbëve.

 

Zëvendëskryeministri tjetër i Qeverisë së Kosovës, Bajram Gecaj, tha se çështja e Asociacionit të komunave është shteruar në të gjitha vendet përveç Parlamentit.

 

“I vetmi vend ku kjo temë nuk është diskutu është Kuvendi i Kosovës sepse opozita nuk ka lejuar që të diskutohet. Këtu edhe unë edhe Stojanoviq përfaqësojmë qytetarët e Kosovës sepse me këtë Asociacion ju sigurohen kushte më të mira qytetarëve të Kosovës”, tha Gecaj.

 

Ai tha që përmes këtij Asociacioni serbët do të integrohen më shumë në sistemin e Kosovës.

 

“Ne një kohe të gjatë kemi pasë problem me integrimin e pjesës veriore në sistemin e Republikës se Kosovës dhe kjo do të jetë një ndihmesë që ata të integrohen më mirë”, tha ai.

 

Asociacioni do të përfshijë 10 komuna, të banuara me shumicë serbe. Sipas raportit Republika e Serbisë do t’i ofrojë Asociacionit mbështetje financiare dhe teknike, në mënyrë transparente dhe nëpërmjet komunave pjesëmarrëse, në pajtim me legjislacionin përkatës që rregullon këtë lloj të mbështetjes financiare dhe teknike të Kosovës./kallxo.com