MTI nënshkruan marrëveshje të rëndësishme nesër me Shqipërinë

Lajme02.06.2016 12:42

Në vixhilie të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, e cila do të mbahet nesër më 03 qershor 2016 në Prishtinë, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë shpreh kënaqësinë e saj të informojë opinionin publik se në bashkëpunim të ngushtë me institucionet shtetërore të Republikës së Shqipërisë ka arritur të ndërtojë një klimë të shkëlqyeshme bashkëpunimi e cila po kontribuon pozitivisht në thellimin e marrëdhënieve tregtare në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.

 

Me Shqipërinë tashmë nuk kemi çështje të hapura tregtare. Marrëveshja për Lehtësimin e Tregtisë, e cila është nënshkruar në mbledhjen e përbashkët të të dy qeverive në mars të vitit të shkuar, po zbatohet mirë, transmeton Indeksonline.

 

Janë mbajtur disa takime në nivel të grupeve teknike dhe shumë çështje janë zgjidhur ose janë në rrugë të mirë për t’u zgjidhur. Disa prej barrierave që kanë penguar eksportin e bizneseve kosovare në Shqipëri janë eliminuar tërësisht, si: pamundësia për të eksportuar produktet farmaceutike, me ç‘rast Shqipëria e ka ndryshuar Ligjin duke u hapur rrugë produkteve farmaceutike nga Kosova të depërtojnë në tregun e Shqipërisë; pamundësia për të eksportuar vezë në tregun e Shqipërisë; aplikimi i çmimeve referente ndaj disa produkteve kosovare; çështja e kuotave për produktet bujqësore, etj.

 

Me qëllim të intensifikimit të mëtejmë të marrëdhënieve të përbashkëta ekonomike, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes e Shqipërisë këtë vit kanë nënshkruar marrëveshjen për Nxitjen dhe Mbrojtjen e Investimeve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, marrëveshje e cila do të inkurajojë më tej investimet reciproke në të dy vendet duke rritur sigurinë e këtyre investimeve.

 

Në mbledhjen e nesërme të të dyja qeverive, MTI dhe Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës e Republikës së Shqipërisë do të nënshkruajnë edhe marrëveshjen mbi Njohjen e Ndërsjellë të Çertifikatës së Testim / Kalibrimit të Tahografit të mjeteve rrugore duke zgjidhur përfundimisht një pengesë të kahershme për transportuesit kosovarë. Kjo marrëveshje i ndihmon shumë bashkëpunimit në fushën e transportit rrugor të udhëtarëve dhe të mallrave duke plotësuar një parakusht të rëndësishën në procesin integrues në Bashkimin Evopian sa i përket lëvizjes e lirë të mallrave, shërbimeve dhe të njerëzve.

 

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë shpreh mirënjohjen e saj për Qeverinë e Republikës së Shqipërisë për bashkëpunimin e treguar deri tani në arritjen e synimit tonë të përbashkët - intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik dhe mënjanimin e të gjitha barrierave tregtare për bizneset.

 

Zhvillimet pozitive të deritanishme janë dëshmi që konfirmon se vendet tona po ndërtojnë një kualitet tëri të marrëdhënieve ndërshtetërore që do të sjellë përfitime të shumta për të dyja ekonomitë dhe për prosperitetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, thuhet në një komunikatë për media.