Kuçi zëvendëskryeministër, Hoxhaj ministër i Jashtëm (Video)

Lajme02.06.2016 12:52

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë gjatë një konference për media se sot ka zhvilluar një takim me partnerin e koalicionit, Isa Mustafën për t’i dhënë mbështetje procesit të vazhdimit të koalicion deri në vitin 2018.

 

“Kemi marr vendime të përbashkëta, jemi marr vesh të kemi një etapë të re, kryeministri është shumë i impenjuar për përmirësimin e sektorit të ekonomisë në Kosovë. Kemi arritur një marrëveshje të përbashkët për të gjitha fushat, reformë kjo që do të nis nga sistemi legjislativ”, ka thënë Veseli, raporton Indeksonline.

 

Ai ka thënë se ka emëruar Hajredrin Kuçin zëvendëskryeministër të Kosovës dhe do të vazhdojë të mbetet ministër i Drejtësisë, ndërsa zëvendëskryetarin e PDK-së, Enver Hoxhajn ministër të Punëve të Jashtme. 

 

Ndërsa kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka uruar Hajredin Kuçin dhe Enver Hoxhajn për pozitat e reja, duke thënë se kjo zgjidhje i kontribuon realizimeve të qeverisjes së koalicionit qeveritar.

 

“Kemi konstatuar se do të fokusohemi në çështjet zhvillimore si dhe në investimet e huaja direkte, për të cilën kemi vlerësuar se është një arritje e mirë. Do të punojmë në zonat ekonomike që të hapim zona të reja për zhvillim ekonomik në nivel të vendit”, ka thënë Mustafa. 


Mustafa tutje ka theksuar se nuk kanë pritur deri më tani për të vendosur për emrat e rinj të kabinetit qeveritar.

 

“Ne nuk kemi pritur ndonjë arsye, por kemi pasur çështje tjera që iu kemi dhënë prioritet. Jemi të kritikuar edhe nëse e shtojmë një ministër të ri e edhe nëse e lëmë Hajredin Kuçin në të dy pozitat”, ka thënë Mustafa.

 

Ndërsa, Veseli ka thënë se janë duke u futur në një fazë të vendimmarrjes, dhe se për këtë nuk ishin fokusuar në emra.

 

“Ne jemi fokusuar në cështjet e të papunëve dhe në luftën kundër korrupsionit. Kjo do të jetë vetëm një etapë sepse do të futemi në forma më të thella. Kjo vendimmarrje do të ketë edhe hapa konkret në ditët e ardhshme”, ka shtuar Veseli. 

 

Veseli ka ftuar opozitën që të marr përgjegjësi, duke shtuar se koalicioni do të vazhdoj të kryer obligimet ndërkombëtare.

 

“Do të vazhdojmë me kryerjen e obligimeve ndërkombëtare me mendimin për të forcuar sovranitetin e këtij shteti. Çdo vendim për Asociacionin do të jetë për sovranitetin e këtij vendi, e e njëjta vlen edhe për Demarkacioni kufitar me Malin e Zi, prandaj do të veprojmë për interesat e qytetarëve tanë. 

 

Ai ka thënë se nuk e kanë shpërfillur Gani Kocin, i cili është përmendur si ministër i Drejtësisë, por se vendimi ka qenë kësisoj.

 

Republika Plus