Përfunduan xhirimet e filmit "Duarlidhur"

Kulturë29.05.2016 18:50

Këto ditë kanë përfunduar xhirimet e filmit "Duarlidhur" me skenar dhe regji të Kreshnik Saraqit, ku rolin kryesor e luan aktori kosovar Afrim Muçaj.


Abeli, personazhi kryesor i këtij filmi të cilin e luan aktori Afrim Muçaj, është një i ri i cili kthehet nga Evropa në Shqipëri ku ndeshet me një realitet krejtësisht tjetër nga ai të cilin e ka lënë pas. Pavarësisht dëshirës dhe vullnetit  që të luftoj grupet kriminale duke synuar që të vihet rendi e ligji në vend, përpjekja e tij rezulton e dështuar.


Muçaj shprehet i kënaqur me ecurinë e deritanishme të realizimit të filmit.


Krahas Abelit (Afrim Muçajt), shquhet edhe Mondi, një oficer policie i cili interpretohet nga aktori Herion Mustafaraj i sapokthyer nga Amerika.


Aktorët tjerë që luajnë në këtë film janë: Florist Bajgora, Ema Andrea, Kamela Ismaili dhe Laert Vasili.


Filmi "Duarlidhur" është pjesë e triptikut filmik, titulluar “Mos”, dy pjesët tjera të të cilit,  "Me duar në xhepa" të Ergys Metës dhe "Natë Kadri" të Suela Bakos tashmë kanë mbaruar edhe montazhin.


Filmi është prodhim i Shtëpisë filmike “ERAFILM” me producente Sabina Kodra, drejtor fotografie është Shpëtim Baca, inxhinier zëri Endri Pine, ndërsa për kostumet është përkujdesur Gerta Oparaku. Filmi është financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë.


 

Republika Plus