“Gjendja e Qendrës Historike në Prizren ka dalë nga kontrolli”

Kulturë28.05.2016 19:37

Drejtori i organizatës “EC Ma Ndryshe”, Hajrullah Çeku, ka thënë se situata e shkatërrimit të Qendrës Historike në Prizren ka dalë nga kontrolli.


Vetëm muajin e fundit Çeku ka raportuar përmes rrjeteve sociale dhe mediave pesë raste, katër rrënime e një djegie.


“Ekziston rreziku se kështu për kohë shumë të shkurtë do ta humbim qendrën historike. Nëse nuk ka ndëshkim pas një rasti, i bie se ata bëjnë thirrje për të tjerat. Të gjithë ata që shkatërrojnë një monument të Qendrës Historike, thirren në rastet paraprake”, ka thënë Çeku në “Interaktiv” të KTV-së, duke shtuar se vetëm dëmtimi i kësaj qendre, sipas ligjit dënohet deri me 3 vjet burg.


Shtëpitë, të cilat janë pjesë të Qendrës Historike të Prizrenit, janë prona private dhe familjare. Si të tilla ato janë të vështira të mirëmbahen dhe sipas Çekut, kur atyre familjeve u ofrohen bizneset për t’i blerë, ata i shesin.


“Ata i blejnë e më pas i rrënojnë. Aty më pas ushtrojnë afarizëm, si parkingje ilegale dhe hotele të cilat janë shtuar në atë pjesë pas rritjes së numrit të turistëve”, ka treguar Çeku.


Tutje Çeku ka thënë se në Kosovë asnjë person nuk është dënuar për “dëmtim të trashëgimisë kulturore”.