Festivali Tradicional i Komedisë, nxitje e krijimtarisë artistike teatrore

Kulturë28.05.2016 15:43

Të hënën në Mitrovicë  nis festivali tradicional i Komedisë.


Për herë të tetë me radhë, në Mitrovicë do të filloj edicioni i tetë i Festivalit Tradicional të Komedisë, me karakter garues, në të cilin do të marrin pjesë trupa teatrale nga të gjitha trojet shqiptare.


Drejtori i Festivalit, njëherësh themelues i tij,  Halit Barani, rikujton se në Festival mund të marrin pjesë vetëm trupat teatrale që kanë përgatitur shfaqje të autorëve shqiptarë.


Sipas tij, qëllimi i organizimit të këtij Festivali është nxitja e krijimtarisë artistike teatrore, zbulimi dhe inkurajimi i talenteve të rinj në fushën e komedisë, që konsiderohet një investim në të ardhmen.


Ai shprehet të jet i bindur se edhe në edicionin e sivjetmë të Festivalit do të jetë kështu dhe se shikuesit do të kenë rastin të shohim vlera të mirëfillta artistike e të humorit, talente të reja dhe shfaqje të pëlqyeshme.


“Kjo javë në qytetin e bukur buzë Ibrit, do të jetë një javë festive. Artistët pjesëmarrës do të sjellin një atmosferë të bukur artistike. Ata do të luajnë role të ndryshme për të na bërë ne të qeshim dhe të ndihemi të relaksuar, si dhe do të këmbejnë përvoja mes tyre”, ka thënë ndër të tjera drejtori i Festivalit, Halit Barani.


Shkrimtari dhe intelektuali i mirënjohur mitrovicas, profesor Fazli Hajrizi, lidhur me këtë aktivitet të rëndësishëm kulturor, thotë, se  qe disa vite rresht është duke e përcjellë Festivalin e Komedisë Shqiptare që organizohet në Mitrovicë dhe se ka vërejtur se disa trupa të teatrove kanë sjellë vazhdimisht vepra skenike të realizuara në nivel të lakmueshëm artistik. Sipas tij, kjo tregon për përkushtimin e regjisorëve, skenografëve, kostumografëve, përzgjedhësve të muzikës etj.


 Festivali Tradicional i Komedisë në Mitrovicë zgjatë gjashtë ditë. Natën e parë të festivalit do ta hapë Teatri i Ëndrrave nga Suhareka, me Komedinë “Dera”të autorit dhe regjisorit  Astrit Bytyqi


Të gjitha shfaqjet fillojnë në ora 19:30, në sallën e Qendrës së Kulturës “Rexhep Mitrovica”, buzë Ibrit.

 

Republika Plus