Eposi i Kreshnikëve do të prezantohet edhe në Zvicër

Kulturë27.05.2016 12:57

Në Windisch të Kantonit Aargau bëhet përurimi i projektit hulumtues shkencor të Institutit Albanologjik të Prishtinës “EPOSI I KRESHNIKËVE – monument i trashëgimisë kulturore të shqiptarëve në pesë vende të Ballkanit”. Me këtë rast shfaqet edhe filmi dokumentar Eposi i Kreshnikëve.


Projekti u realizua në vitet 2012-2014-2016 dhe janë shënuar e incizuar 15 vëllime me këngë e tregime, që është pasuri e përmasave të mëdha etnokulturore kombëtare e evropiane dhe dëshmi për dosjen për UNESCO. Projekti ka marrë vlerësimin në kategorinë Hulumtim: “Mendim Special 2016‘‘ nga Europa Nostra në Hagë. Edhe filmi është pjesë e dosjes për UNESCO, e cila është përgatitur në vitet 2009-2013, nga ekspertet e Komisionit Qeveritar të Kosovës, nga Tirana e Prishtina, prof. dr. Shaban Sinani, prof. dr. Vasil Tole dhe prof. dr. Zymer U. Neziri, kryetar, shkruan albinfo.


Incizimet e filmit janë kryer në katër shtete të Ballkanit, ku jetojnë shqiptarët: Mali i Zi, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni. Në përurim do të jetë i pranishëm edhe bartësi i projektit, prof. dr. Zymer Ujkan Neziri. Përurimi bëhet më datën 4 qershor 2016 në Windisch, Dohlenzelgstrasse, në orën 17.00.