“Dera” hap Festivalin e Komedisë

Kulturë30.05.2016 19:11

Në Mitrovicë sonte do të nis edicioni i tetë i Festivalit Tradicional të Komedisë, me karakter garues, në të cilin do të marrin pjesë trupa teatrale nga të gjitha trojet shqiptare.


Drejtori i festivalit, njëherësh themelues i tij,  Halit Barani, ka thënë se në festival mund të marrin pjesë vetëm trupat teatrale që kanë përgatitur shfaqje të autorëve shqiptarë.


Sipas tij, qëllimi i organizimit të këtij festivali është nxitja e krijimtarisë artistike teatrore, zbulimi dhe inkurajimi i talenteve të rinj në fushën e komedisë, që konsiderohet një investim në të ardhmen.


“Mitrovica me këtë aktivitet kulturor po vazhdon traditën e ndritur të zhvillimit të artit dramatik. Nga Mitrovica kanë dalë shumë artistë të njohur të vendit që me talentin dhe punën e tyre i kanë kontribuar mjaft artit dramatik. Festivali, nga viti në vit, ka arritur  të tregoj vlera të reja të komedisë dhe të zbuloj talente të rinj, disa nga të cilët tashmë janë bërë emra të njohur në Kosovë e më gjerë., ka thënë Barani.


Festivali Tradicional i Komedisë në Mitrovicë zgjat gjashtë ditë. Natën e parë të festivalit do ta hap Teatri i Ëndrrave nga Suhareka, me Komedinë “Dera”të autorit dhe regjisorit Astrit Bytyqi.


Të gjitha shfaqjet fillojnë në orën 19:30, në sallën e Qendrës së Kulturës “Rexhep Mitrovica”, buzë Ibrit.